Nuk janë në vendin e parë në total, por nuk dorëzohen. Amerikanët kanë shkuar në Tokio për të fituar Olimpiadën, dhe të paktën në not po bëjnë detyrën. Në garat e fundit, garuesit e Shteteve të Bashkuara fituan dy medalje ari, ndonëse u mundën në një tjetër ku kishin shpresë të fitonin. Ai që mund të quhet notari më i mirë i Lojrave Olimpike deri tani, Kaleb Dresel, fitoi edhe medaljen e tretë të artë individuale në Japoni, këtë herë në 100 metra flutur për meshkuj. Dresel doli i pari me kohën 49”45, duke vendosur një rekord të ri botëror. Shumë i fortë edhe hungarezi Krishtof Milan që mori argjentin duke dhënë një rekord të ri europian me 49”68, ndërsa në vend të tretë doli Ponti i Zvicrës.
Në 800 metra stil i lirë për femra shkëlqeu siç pritej Keti Ledeki. Notarja 24-vjeçare, që është 7 herë kampione olimpike, triumfoi me diferencë ndaj rivaleve. Ajo fitoi me kohën 8’12”57, gjithsesi rreth 8 sekonda larg rekordit botëror. Në vendin e dytë, Ariarne Titmës e Australisë më shumë se një sekondë prapa, ndërsa e treta doli Kuadarela e Italisë.
Në stafetën 4×100 të përzier ndërgjinore, amerikanët u mundën nga Britania e Madhe. Britanikët fituan të artë me 3’37”58, një rekord i ri botëror. Në vend të dytë Kina, dhe në vendin e tretë Australia. Në 200 metra shpinë për femra pati dominim australian. E para doli Kejli Mekkioun e Australisë me kohën 2’04”68. Në vend të dytë Kajli Mejs e Kanadasë, dhe e treta ishte Emili Sibom e Australisë.
Sfidanti.al