Ata që kanë ndjekur basketbollin jugosllav të viteve 70-të mbajnë mend brezin e madh të Kiçanoviçit, Dalipagiçit, Delibashiçit e të tjerëve, ndërsa në vitet 80-të ishin Divac, Paspalj, Kukoç, Petroviç e Raxha. Në vitet 90-të, Jugosllavia e cunguar pati Daniloviçin, Bodirogën, Divacin, Rebraçën e të tjerë, ndërsa sot tradita serbe mbështetet tek yjet e rinj. Ata ia dolën të fitonin me “terezi” ndaj Italisë, në provën e parë të vështirë të Botërorit, duke triumfuar 92-77, ndonëse nuk luajtën ndeshjen e tyre më të mirë.
U desh një Bogdanoviç i shkëlqyer për të bërë diferencën, ndërsa serbët ishin “njerëzorë”, ndryshe nga herët e tjera. Ylli i Sakramentos shënoi 31 pikë, me 4 tripikësha të saktë nga 5 gjithsej, si dhe me shumë asiste e topa në tabela. Nikola Jokiç nuk ishte në nivelin e tij më të mirë, por gjithsesi është jashtë të zakonshmes. Këtyre u duhen shtuar Bjelica, Miçiç, Joviç apo Milutinov. Tashmë, kalohet në fazën e dytë, sërish në grup, dhe Italia luan të premten ndaj Spanjës, ndërsa Serbia e ka duelin me spanjollët, të dielën.
Sfidanti.al