Nëse Mesi është gjeniu i futbollit, Ronaldo është “gjeniu i Instagramit”!

Janë padyshim dy yjet më të mëdhenj të paktën të 40 viteve të fundit. Kristiano Ronaldo e Lionel Mesi janë po ashtu rivaliteti më i madh i futbollit për të gjitha kohët, dhe përballja nuk ka përfunduar edhe pse sot janë mjaft të shtyrë në moshë. Nëse Mesi vlerësohet gjerësisht si magjistari më i madh i topit, i denjë për të sfiduar legjendat Pele e Maradona, Ronaldo është i paarritshëm për imazhin e tij. Superylli portugez, ndonëse nuk po kalon periudhën më të mirë të karrierës, sërish është futbollisti më i ndjekur nga publiku, dhe u shpall sërish njeriu me më shumë ndikim në Instagram. Kristiano ka 481 milionë ndjekës në këtë rrjet social shumë popullor, dhe me fitimin mbi 3.5 milionë euro për çdo postim.

Mesi është i dyti me fitimet më të mëdha në Instagram me mbi 2.6 milionë euro për çdo postim, por ndjeshëm më poshtë sesa portugezi. Kjo diferencë është sepse argjentinasi ka 360 milionë ndjekës, pra rreth 120 milionë më pak sesa CR7. Këtë edicion, Mesi gjithsesi duket në formë më të mirë, duke shënuar gola e duke shërbyer asistë për Paris SG, me shpresë për të fituar Championsin dhe sërish ligën e parë të Francës. Ronaldo, ndërkaq, ka qenë më tepër në rol dytësor tek Mançester Junajtidi, më shumë i ulur në stol dhe me vetëm një gol të shënuar në Ligën e Europës në fushën e Sherifit të Tiraspolit. Të dy gjigandët po bëhen gati për një përballje të fundit me ekipet kombëtare këtë sezon, në Kupën e Botës në Katar në nëntor-dhjetor, dhe secili prej tyre shpreson të fitojë trofeun e madh që u mungon.

Sfidanti.al