Atmosfera ishte ajo e festave, madje pati dy të tilla. Kjo ndodhi në ndeshjen e fundit të La Ligës në Spanjë, në stadiumin “Spotifaj Kamp Nou” ku Barcelona priti Elçen dhe fitoi 3-0. Harenë e përgjithshme për fitoren e katalanasve, e bëri më të veçantë, diçka që nuk ndodh shpesh, por një fenomen që ka nisur të shtohet. Një djalosh nga Ballkani, Stefan Lazarov nga Maqedonia e Veriut, kishte planifikuar një të papritur për të dashurën e tij, Martën. “Kisha dy muaj që e përgatisja këtë”, – tha Stefani. Gazetarja e pyeti se përse ai e organizoi diçka të tillë në këtë stadium.
“Për shkakun tim, – tha djali, – unë jam tifoz i madh i Barcelonës, – E kam ndjekur ekipin që kur isha fëmijë fare i vogël. Doja ta bëja këtu sepse unë mbaj mend gjithçka nga Barcelona, çdo rezultat, çdo moment të mirë dhe të keq”. “Unë nuk e prisja këtë aspak”, – ishin fjalët e vajzës. U prit vërshëllima finale. Stefani thotë se Marta nuk dinte asgjë. Përfundimi ishte më i miri i mundshëm, për kënaqësinë edhe të tifozëve aty pranë.
“Fakti që unë e bëra këtë në Barcelonë është tepër i veçantë për mua, – sqaroi ai, – unë kam qenë tifoz katalanas që 5 vjeç dhe doja që edhe ajo të mos e harronte kurrë Barcelonën. Edhe kur të jemi 50 vjeç apo më të vjetër. Unë nuk e harroj Barcelonën, por tani do ta mbajë mend edhe ajo”. Mos vallë do të martohen nën tingujt e himnit të Barçës? “Ndoshta, nuk e di, – tha Stefani, – por, e di se fëmijët e mi do të jenë tifozë të Barcelonës dhe se unë do t’i sjell këtu”. Ndoshta, mund ta bëjnë dasmën në “Spotifaj Kamp Nou”, siç është edhe politika e tanishme e klubit.
Sfidanti.al