Nejmar i jep fund “agjërimit” 100-ditor, gol me aromë Botërori

Arena nuk ishte në Rusi, por sidoqoftë ishte e lavdishme, stadiumi “Anfild” i Liverpulit. Pikërisht aty, Nejmar i dha fund “agjërimit” të tij 100-ditor, duke dalë më në fund në fushë për kombëtaren e Brazili. Dalje, e çfarë daljeje! Me gol të shënuar dhe me fitore ndaj një rivali të respektuar si Kroacia.

Ylli i Paris SG mbushi saktësisht 98 ditë pa futboll, që nga dëmtimi që pësoi në ligën franceze kur luante për Paris SG dhe dyshimet ishin të mëdha nëse ai do të ishte gati për Botërorin. Në 98 ditë, ai kishte qenë aktiv në rrjetet sociale, me plot 60 postime për plot 93 milionë ndjekës të tij, veçse futbolli i luajtur është tjetër gjë.

Tifozët mund të ndihen të lehtësuar, sidoqoftë, dhe po ashtu trajneri Tite. Nejmar duket se ka rikuperuar jo vetëm formën fizike, por nuk ka humbur për asnjë grimë nuhatjen dhe aftësinë për golin, aq më shumë që rrjeta e shënuar ishte krejt individuale.

Nejmar hyri në fushë në nisje të pjesës së dytë në vend të Fernandinjos, dhe shënoi në minutën e 69-të duke i dhënë avantazhin “Selesaos”, e cila garantoi suksesin 2-0 me golin e Roberto Firminos, që tundi rrjetën pikërisht në stadiumin e tij.

Sfidanti.al