Nuk është populli më i lumtur në botë, pavarësisht gjithçkaje. Kur thua Argjentinë, nënkupton edhe pasionin pa skaj, edhe konfliktin pa fund, dhe sakrificën pa shpërblim, siç shkruante dikur Ivo Andriçi për Bosnjën. E tregoi festimi që u kthye në tragjedi për fitoren e Kupës së Botës nga kombëtarja e futbollit, por megjithatë ëndrra e përhershme e njerëzimit ka qenë harmonia. E mundshme dikur tepër larg, apo thjesht një pamundësi që gjithsesi të mban me shpresë, e tillë është edhe dëshira e argjentinasve, që u mishërua në urimin filmik të Federatës së Futbollit të këtij vendi në prag të Krishtlindjeve. Realiteti i idealizuar të paktën në dy minuta video ishte që qytetarët janë të bashkuar në festën e Kupës së Botës, të sportit me popullor në rruzull, përtej dasive ekstreme pasurore, që shkojnë nga llastimi deri tek vuajtja pa cak.
Në këtë skenar idilik nuk mund të mungonte një figurë si prej Niçeje, një lloj Mbinjeriu, padyshim me emrin Lionel Mesi. Pasardhësi i Diego Armando Maradonës ishte sjellësi i shpresës, ndërsa në urimin e Federatës ai ishte kthyer në një lloj Babagjyshi të Krishtlindjeve apo të Vitit të Ri, apo i çdo lloj feste, siç e thonë në Perëndim, një “Santa Klaus” apo “Papa Noel”. Emri i tij në video ishte Papa Lionel, dhe nuk besojmë që Papës së Vatikanit, argjentinasit me emrin Françesk, do t’i ketë mbetur qejfi. Çfarë dhurate do t’i kërkojnë fëmijët Papës Lionel? Le ta mbajmë të fshehtë, është mesazhi në urim.
Sfidanti.al