Pele dhe Viali, dy legjendat e futbollit luftojnë në spital për jetën!

Kur hyn në atë derë jo gjithmonë ia del që të kthehesh. Nuk na e bën as goja ta themi dhe as që të na shkojë ndërmend, por gjithsesi gjendja shëndetësore e legjendës së futbollit, Pele, është vërtet e rëndë pasi kanceri po përparon. I cilësuar si Mbreti i topit, braziliani është i shtruar që nga 29 nëntori në spitalin Ajnshtajn të Sao Paulos, ndërsa tani në Krishtlindje pranë tij janë mbledhur fëmijët dhe nipat e mbesat. Gjendja e 82-vjeçarit është kaq e rëndë saqë vajza e tij, Keli de Nashimento, dhe djali Edinjo, dëshirojnë të jenë pranë tij për çdo gjë që mund të ndodhë. Ndoshta, këto mund të jenë ditët e fundit të Pelesë, ndaj edhe ata nuk duan që t’i humbasin. Sidomos, vajza Keli, që ka premtuar se nuk do të largohet për asnjë çast nga spitali, ndërsa ka botuar foto dhe video emocionuese nga pavioni i spitalit ku ndodhet i ati.

Lajmet nuk janë të mira as për një nga legjendat e futbollit italian. Xhanluka Viali, ish-ndihmësi i kombëtares së Italisë dhe ish-yll i madh i sulmit të Sampdorias, Juventusit dhe Çelsit ndodhet i shtruar në Spitalin “Marsden Rojël” në Londër, aty ku jeton prej vitesh. Pranë tij është e shoqja, Ketrini, por po ashtu në kryeqytetin britanik kanë ardhur me radhë nëna dhe motrat e tij. Viali ka qenë për herë të fundit në publik 4 javë më parë, duke folur përpara kamerave, ndërsa për të vijnë mesazhe mbështetjeje nga Italia e më gjerë, së pari nga ish-shoku i tij në fushë dhe në stol, trajneri i Italisë, Roberto Mançini.

Sfidanti.al