Ulërima e tij u dëgjua deri në Shqipëri. Armando Broja ishte i pafat në dëmtimin që pati me Çelsin në miqësoren ndaj Aston Vilës, por për fat të keq, nuk është shqetësimi i vetëm për kombëtaren shqiptare. Me sulmuesin e dalluar 21-vjeçar, që do të mungojë disa muaj pasi kreu operacionin në ligamentin kryq të gjurit, bashkohet edhe Keidi Bare, mesfushori i Espanjolit, i cili gjithashtu pësoi dëmtim në gju dhe u detyrua të bënte operacion. Koha e rikuperimit pritet të jetë disa muaj, ende jo e përcaktuar plotësisht, por vështirë që Bare të mund të kthehet në kohë për ndeshjen e parë eliminatore të Kampionatit Europian që Shqipëria do ta luajë në 27 mars ndaj Polonisë. Në kryeqytetin polak, Varshavë, shpresohet të mos kemi probleme të tjera, ndonëse lojtarë të dëmtuar kemi edhe më shumë.
Rej Manajt iu përsërit në ndeshjen e Championshipit në Angli, dëmtimi i mëparshëm në kofshë që e pengoi edhe gjatë fazës së parë të sezonit. Sulmuesi kuqezi u aktivizua pas pushimit në ndeshjen e Uatfordit ndaj Hull Sitit, dhe pikërisht pranë fundit ndjeu shqetësime fizike. Një mëkat, pasi Manaj nuk po mundet të tregojë veten në skuadrën angleze për të cilën ka shënuar vetëm një gol, dhe pengesa kryesore për të kanë qenë dëmtimet. Me gjasë, më e lehtë gjendja e Elseid Hysaj, pasi mediat në Itali shkruajnë se lëndimi i tij do të kalojë shpejt. Mbrojtësi i Lacios, zv. kapiten i kombëtares shqiptare do të lihet pushim për ndeshjen e parë të Serisë A në nisje të janarit ndaj Leçes, por më pas mund të kthehet.
Sfidanti.al