“Kemi bërë një mrekulli”. Kështu u shpreh trajneri Luçiano Spaleti pasi Napoli i tij kaloi në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve. Mbetet ende një ndeshje, por të kaltrit e Italisë së Jugut po mbajnë lart futbollin e një rajoni ku, siç thotë një batutë në Apenine, “edhe Mafia është duke ikur në emigracion”. Napoli nuk do të dijë për krizën, ndërsa ndaj një emri të madh si Ajaksi pati nevojë vetëm për 15 minuta për të mbyllur ndeshjen në stadiumin “Maradona”.
Hirving Lozano dhe Xhakomo Raspadori shënuan për 2-0, dhe pasi Klasen shkurtoi diferencën mendoi Kviça Kvaraskelia me penallti, ndërsa 4-2 përfundimtar e vulosi Viktor Osimhen, më në fund i kthyer në fushë. Napoli do të donte që finalja e Championsit të ishte pikërisht tani, pasi me këtë formë që po tregon, me 5 fitore radhazi dhe golaverazhin 17-4, në një grup ku është edhe Liverpuli nënkampion i Europës, padyshim që do të ishte favorit për ta fituar trofeun.
Sfidanti.al