Një nga ndeshjet më të bukura të të gjitha kohëve në grupe u luajt në “Spotifaj Kamp Nou”. Barcelona, e detyruar të luante për jetë a vdekje për fitoren, pati përballë Interin që nuk u mbyll në portë edhe pse i mjaftonte barazimi. Përfundoi 3-3, me italianët që e kanë fatin në duart e tyre dhe katalanasit që nuk e kanë. Me Bajernin që kryeson grupin me 12 pikë të plota, Interi ka 7 dhe Barça 4, dhe zikaltërit kanë epërsinë e ndeshjeve direkte. Do të duhej që “blaugranët” të fitojnë 6 pikë dhe milanezët jo vetëm të humbasin me Bajernin, por edhe të lenë pikë me Plzenin që të ndodhë mrekullia.
Përballja ishte shumë e fortë dhe me përmbysje, me kaq shumë gola nga Dembele, Barela, Lautaro, Levandovski, Gosens e sërish Levandovski. Polaku ishte madhështor, por nuk mjaftoi, ndërsa në krahun tjetër Kristjan Asllani mund të kishte ndihmuar Interin që të fitonte. Topin që ia dha Lautaro mund t’ia kishte pasuar Mkitarianit që ishte vetëm me portën bosh, por nuk mundi. Gjithsesi, “kryqëzata” e të besuarve të Simone Inzagit përfundoi me sukses, ndërsa Ksavi Hernandez ende nuk e ka gjetur ekuilibrin e ekipit të tij, që rrezikon të shkatërrojë investimin e madh të verës duke u eliminuar para kohe nga Championsi.
Barcelona-Inter 3-3 (Dembele 40’, Barela 50’, Lautaro Martinez 63’, Levandovski 82’, Gosens 89’, Levandovski 90’+2)
Barcelona (4-3-3): Ter Shtegen, Sergi Roberto (Kesie 73’), Pike, Erik Garsia, Markos Alonso (Balde 72’), Gavi (Ferran Torres 82’), Buskets (De Jong 64’), Pedri, Dembele, Levandovski, Rafinja (Ansu Fati 64’).
Inter (3-5-2): Onana, Shkriniar, De Vraj, Bastoni (Açerbi 85’), Damfris, Barela (Asllani 85’), Çalhganoglu (Gosens 76’), Mkitarian, Dimarko (Darmian 67’), Lautaro Martinez, Xheko (Belanova 76’).
Sfidanti.al