Me atë që u pa, skuadra e tij nuk ishte më e mira në fushë, dhe në mënyrë indirekte e pranon edhe trajneri. Julian Nagelsman është një njeri i lumtur me fitoren e rëndësishme në Champions ndaj Barcelonës, edhe pse komenti i tij reflekton paraqitjen e bavarezëve. “Barcelona luajti më mirë se ne në pjesën e parë, – tha tekniku, – ata patën raste më të mira. Ne ishim shumë dobët në pasimin e fundit. Ishte shumë më mirë në pjesën e dytë për ne. Bajerni e bëri diferencën falë efikasitetit”. Që do të thotë, nëse Barça do të kishte qenë efikase në pjesën e parë, me gjasë sfida do të ishte mbyllur. Sa për Manenë, Nagelsmani nuk është i shqetësuar edhe pse senegalezi nuk pati asnjë gjuajtje në portë ndaj katalanasve. “Ai është i ri këtu dhe ka nevojë të përshtatet”, – tha trajneri.
Sfidanti.al