Myrto Uzuni si Napoleon Bonaparti: Në fjalorin tim nuk ekziston fjala “e pamundur”!

Në fakt e përdori edhe presidenti i Realit, Florentino Perez, kur prezantoi për herë të parë si trajner Zinedin Zidanin, por “pronari” i vërtetë i shprehjes është Perandori i dikurshëm francez. “Për mua nuk ekziston fjala “e pamundur””, – tha Napoleoni, dhe këtë shprehje në aspektin e futbollit e përdori edhe Myrto Uzuni. Në një intervistë për të përditshmen kryesore sportivë hungareze, “Nemzeti Sport”, sulmuesi shqiptar i Ferencvaroshit theksoi se objektivi i tij kryesor është të jetë në grupet e Championsit.

“Që kur do të nënshkruara kontratën me Ferencvaroshin bisedova me (drejtorin sportiv) Tamash Hajnalin për Championsin, dhe i theksova disa herë se për mua nuk ekziston fjala “e pamundur”. Unë dua të luaj në Champions, dua të jem në grupe dhe të dëgjoj himnin, që më sjell mornica në trup. Në futboll nuk ka asgjë të pamundur”. Ferencvaroshi luan të mërkurën ndeshjen e parë të plej ofit në Ligën e Kampionëve në fushën e Jang Bojsit të Zvicrës, dhe synon të arrijë suksesin e sezonit të kaluar. Uzuni ka qenë më i miri deri tani në raundet eleminatore me 4 gola dhe 3 asistë në 6 ndeshje, si dhe shënoi edhe në Superligën e Hungarisë.

Sfidanti.al