Kishte humbur 0-1 ndeshjen e parë në stadiumin e vet. Ishte në dizavantazh të dy golave, 0-2, në mes të Italisë, por sërish nuk e kishte humbur shpresën. Borusia e Mynshengladbahut ndoshta nuk e tregonte këtë besim, por gjithë bota e mori vesh kur skuadra gjermane lëshoi një breshëri me 4 gola më vetëm 15 minuta, edhe pse të ndarë nga pushimi i ndeshjes. Lars Shtindl ishte heroi absolut duke shënuar tri herë, në 44’, 47’ dhe 55’ për të ardhur tek rrjeta e Andreas Kristensenit që i dha fund shpresave italiane, që kishin arritur në epërsi 2-0 me Kaliniçin dhe Borha Valeron.
Dikur Reali përmbyste rezultate të thellë, por e bënte në “Bernabeu”, ashtu si ndonjëherë Liverpuli apo Mançester Junajtid. Veçse, vetëm skuadrat gjermane janë në gjendje ta bëjnë këtë të Gladbahut, të përmbysin gjithçka jashtë fushe. Ky ishte rezultati më mbresëlënës i ndeshjeve që nisën në orën 21:00, edhe pse pati edhe të tjerë.
Genti belg eleminoi Totenhemin shumë më të fortë, duke barazuar 2-2 në “Uajt Hart Lejn”, pas fitores 1-0 në Belgjikë, ekipi tjetër belg Genku po ashtu u tregua i fortë duke eleminuar rumunët e Astrës së Xhurxhut (1-0 me 2-2 ndeshjen e parë). Rostovi i Rusisë nuk u ndje aspak keq, pasi barazoi 1-1 në Çeki me Spartën e Pragës (kryesoi 1-0), pas suksesit 4-0 në fushën e vet. Lioni shënoi më shumë se të gjithë, 7 gola në portën e AZ Alkmarit të Holandës në triumfin 7-1, me rezultatin e përgjithshëm 11-2.
E fundit kualifikimin e arriti Selta e Vigos. Spanjollët ishin fare pranë eleminmit në Ukrainë ndaj Shahtarit të Donjeckut, ndeshje e luajtur jo në Donjeck për shkak të luftës. Deri në minutën e fundit, Shahtari ishte në rregull me barazimin 0-0 pasi kishte fituar 1-0 në Spanjë, por pikërisht atëherë Iago Aspas e dërgoi ndeshjen në shtesë pasi shënoi me penallti. Në minutën e 108-të spanjollët realizuan për së dyti me Gustavo Kabralin dhe kaluan turin.
Sfidanti.al