Murinjon e kanë lënë nervat, si do ta mbyllë sezonin me Romën?!

Në kryeqytet duket se kanë rënë “nga shiu në breshër”. Më parë kishin Paulo Fonsekën, i cili nuk arriti ta kualifikonte ekipin më shumë sesa në Ligën e Konferencës, edhe pse arriti gjysmëfinalet e Ligës së Europës, ndërsa tani kanë në stol një trajner që ka fituar të paktën 25 trofe në karrierë, si Zhoze Murinjon, por që është tepër i lodhur. Portugezi po u kthehet “bëmave” që e larguan nga Mançester Junajtidi dhe nga Totenhemi. Pak ditë pasi u mund 1-6 në Ligën e Konferencës në fushën e Bodo Glimtit në Norvegji, “Mou” u përjashtua me të kuq në barazimin 0-0 me Napolin në stadiumin “Olimpiko”. Ishte një moment kur ai shpërtheu meqë arbitri nuk dha goditje dënimi për ekipin e tij, dhe pas kësaj mori të kuqin. Ai ia bëri me gisht shenjën “OK” për gjyqtarin, me sarkazëm, ndërsa kur u ul në një ulëse prapa kangjellave, mori një brohoritje të madhe nga tifozët e Romës. Gjithsesi, drejtuesit e klubit janë të shqetësuar për nervat e Murinjos.

Sfidanti.al