Kaq e gjatë kishte qenë koha që një tenist nuk ia kishte dalë të përmbyste rezultatin 0-2 me sete për të fituar titullin në Nju Jork. E bëri më në fund Dominik Tim, austriaku i talentuar dhe tepër profesionist, që më në fund ia arriti të merrte Grand Slemin e parë në karrierë. Kishte humbur tri finale të mëparshme, dy ndaj Rafael Nadalit e një ndaj Novak Gjokoviçit, por tashmë në moshën 27-vjeçare e plotësoi ëndrrën, duke mposhtur gjermanin me origjinë ruse, Aleksandër Zverev, 3-2 me shifra dhe pas 4 orësh lojë. “Nuk doja që bilanci im në finale të Grand Slemeve të shkonte në 0-4, – tha Timi, – kjo gjë të rri si gozhdë në kokë, dhe mendon se nuk do të kesh shans tjetër. Gjithsesi, besoj se pas kësaj do ta kem më të lehtë të fitoj tituj të mëdhenj në të ardhmen”. Tim fitoi ndaj Zverevit 2-6, 4-6, 6-4, 6-3 e 7-6.
Sfidanti.al