“Mirë se ku ktheve, Mjeshtër”, “Old Trafordi” brohoret Sër Aleksin

“Ku ishe se na ishin tharë sytë”. Kështu u duk sikur i thirrën njëzëri mbi 70 000 tifozë në “Old Traford” mjeshtrit të vjetër, Sër Aleks Fergusonit. Ish-trajneri skocez drejtoi veteranët e Mançester Junajtidit, në një përsëritje miqësore të finales së vitit 1999 në Champions ndaj Bajernit. “Djajtë e kuq” fituan 5-0, ndërsa publiku adhuroi veçanërisht Fergin, trajnerin që drejtoi ekipin në vitet 1986-2013, duke fituar 13 tituj në Premier Ligë e 2 Liga të Kampionëve, krejt në kontrast me çfarë po ndodh këta 6 vjet që nga largimi i tij.

Ashtu si në kohët e vjetra, skuadra iu përgjigj nivelit që kërkonte rasti duke fituar me golat e shënuar nga Solskjer, Jork, Saha, Bat dhe Bekam. Ky i fundit u vlerësua larg nga tifozët që thanë se fare mirë mund të luante në skuadrën e sotme. “Kur u vendos 20-vjetori i ndeshjes, unë mendova për djemtë, – tha Fergusoni, – mos vallë kishin shtuar në peshë, ishin me flokë të thinjur, a mund ta godisnin topin siç duhet. Frika ime ishte e kotë”. Fergi vlerësoi lart Bajernin duke e quajtur si shembull për Mançester Junajtidin. “Është një klub që drejtohet në mënyrën e drejtë”, – tha skocezi 77-vjeçar.

Sfidanti.al