Një klub i madh nuk dëshiron të mbahet peng, qoftë edhe nga një lojtar shumë i mirë, dhe aq më pak nga agjenti i tij. Mino Raiola është kthyer në problem për shumë drejtues të futbollit europian, dhe pas Mançester Junajtidit apo Mançester Sitit, duket se do të ketë përplasje edhe me Milanin. Pasi realizoi objektivin për t’u kualifikuar në Champions, klubi lombard ka nisur të vendosë piketat për sezonin e ardhshëm, dhe portieri Donaruma me shumë gjasë do të largohet. Ai do të zëvendësohet nga një “trim me fletë” si francezi Majk Manjan, 25-vjeçari i lindur në Guajanën franceze, i rritur në periferi të Parisit, dhe që është forcuar nga jeta prej djali të rrugës. Mainjan kaloi vizitën mjekësore, duke u transferuar nga Lila si kampion i Francës, ndërsa kur ishte tek Paris SG ka histori përballjeje “sy më sy” me vetë Zllatan Ibrahimoviçin, ndonëse në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç.
Përveç portierit, Milani dëshiron të forcojë edhe sulmin, pasi Mario Manxhukiç u largua sepse nuk mundej të konkurronte për vetë problemet fizike që pati. Maldini ka menduar për Olivie Zhirunë, sulmuesin veteran francez që ka luajtur shumë pak te Çelsi. Në një periudhë të vështirë financiare duhet kursyer dhe 34-vjeçari mund të bëjë punë duke iu bërë krah Ibrës, për t’i dhënë përvojë lojtarëve të tjerë më të rinj.
Sfidanti.al