Jokiç kthehet i madh, Denveri përballon Lilardin e mund Portlendin!

Restoja u kthye madje më mirë sesa pritej. Denver Nagets fitoi thellë ndeshjen e dytë të raundit të parë të plej ofit në NBA, duke mundur Portlendin 128-109 dhe barazuan serinë. Nikola Jokiç, i mbuluar fort në sfidën e parë, arriti të dilte në lojën e tij duke shënuar 38 pikë, kapur 8 topa në tabela e shërbyer 5 asistë. Ai ishte njeriu i ndeshjes, ndonëse Damien Lilard shënoi 42 pikë për miqtë, nga të cilët 32 në pjesën e parë. Lilard realizoi 8 tripikësha në pjesën e parë, duke barazuar rekordin e NBA-së, por pas pushimit Denveri i vendosi një “roje”, Aron Gordonin që e bëri punën shumë mirë. “Ne u treguam agresivë, siç bënë ata në ndeshjen e parë, – tha Jokiç më pas, – madje edhe më shumë. Ne e dinim se për të fituar nuk duheshin fjalë, por vepra”. Lilard deklaroi se “duhet të qarkullojmë më mirë topin në ndeshjen e tretë për ta fituar”. Ndeshja e tretë luhet në Portlend.

Sfidanti.al