Çfarë tifozi për Man. Junajtidin në finale, Sër Aleksi merr avionin për Gdansk!

Ishte në stol në 5 finale të kupave europiane, nga të cilat fitoi tre. “Djajtë e kuq” të Mançester Junajtidit patën periudhën më të lavdishme të tyre nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit në vitet 1986-2013, por skocezi i madh nuk ngurroi të ishte sërish pranë skuadrës, pavarësisht se disa kohë më parë rrezikoi jetën me hemoragji cerebrale. Mediat angleze botuan fotot e Sër Aleksit që ngjitej në aeroplanin e skuadrës për në Gdansk të Polonisë ku do të luhet këtë të enjte finalja e Ligës së Europës mes Mançester Junajtidit e Vijarrealit të Spanjës. Ish-trajneri legjendar fitoi Kupën e Kupave në 1991 ndaj Barcelonës, Championsin në 1999 kundër Bajernit dhe sërish Championsin në 2008 përballë Çelsit, ndërsa humbi finalet e Championsit në 2009 e 2011 kundër katalanasve. Në moshën 79-vjeçare dëshiron të fitojë një tjetër trofe, tashmë si tifoz apo si “ambasador” i klubit, dhe të lumturohet për kupën e parë të nxënësit të tij, Ole Gunar Solskjer.

Sfidanti.al