Në Spanjë, trajneri i kombëtares quhet “armik i Realit të Madridit”!

Kurrë ndonjëherë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë, të paktën për aq sa mbahet mend. Një kombëtare e Spanjës pa lojtarë të Realit të Madridit nuk është aspak gjë e zakonshme, por pikërisht kështu bëri trajneri Luis Enrike për të cilin kanë nisur sulmet. Gazetari dhe opionisti i medias madrilene “AS”, Tomas Ronsero, e akuzon teknikun asturian se “tani Luis Enrike tregoi fytyrën e tij të vërtetë, ky është një poshtërim, një ulje e madhe niveli, ai e ndërtoi listën mbi simpatitë dhe antipatitë personale, por Spanja vjen mbi gjitçka”.

Buja më e madhe u bë për lënien jashtë të kapitenit të Realit dhe të vetë Spanjës, Sergio Ramos, i cili është 35 vjeç dhe ka luajtur vetëm 15 ndeshje këtë vit për shkak të dëmtimeve. “Fola me Ramosin, ishte bisedë etike dhe e mbarë, – tha Luis Enrike, – nuk ishte vendim i lehtë për t’u marrë dhe kur flitet për Sergion gjithnjë do të ketë bujë. i thashë të punojë për të arritur formën për Realin dhe në të ardhmen për kombëtaren”. Jashtë nga lista e ekipit që luan në Euro 2020 u lanë edhe lojtarët e tjerë të Realit, Dani Karvahal, Naço Fernandez, Marko Asensio, ndërsa Lukas Vaskez është i dëmtuar.

Sfidanti.al