Si mund të ndodhin këto gjëra në klube të tillë profesionistë? Në Itali prisnin konferencën për shtyp të prezantimit të trajnerit të ri, Serzhio Konseisao, menjëherë pas ndarjes nga Xhenaro Gatuzo, por duket se presidenti De Laurentis është nga ata që pendohet shpejt. Mediat italiane shkruajnë se bosi napolitan ngurroi deri në fund dhe vendosi që të mos e merrte portugezin në stol. Konseisao eleminoi Juventusin nga Championsi dhe fitoi dy tituj me Porton në Portugali, ndërsa thuhej se ishte bërë gati edhe konferenca e prezantimit në një hotel në Romë.
Tashmë, De Laurentis duhet të mendojë për trajnerin dhe në Itali thonë se në “pole position” është Kristof Galtie, njeriu që fitoi titullin kampion në Francë me Lilën duke mposhtur gjigandët e Paris SG. Po ashtu, flitet për Simone Inzagin dhe Luçiano Spaletin, apo edhe për ndonjë tjetër. Çudira të mëdha, ashtu siç kanë ndodhur çudi dhe hatërmbetje me ish-trajnerët si Benitez, Sarri, Ançeloti dhe së fundmi Gatuzo.
Sfidanti.al