Milani e meritoi në Spanjë, Pioli: Ky është vetëm fillimi!

Trajneri i kuqezinjve ishte në qiellin e shtatë pas fitores në “Uanda Metropolitano”. Për skuadrën e tij, që kishte vetëm 1 pikë në 4 ndeshjet e grupit në Champions, suksesi në shtëpinë e Atletikos ishte një arritje vërtet e madhe, për më tepër, e merituar. Vërtet goli erdhi vetë në 87’, por Milani kishte qenë skuadra dominuese, me gjasë edhe sepse vetëm fitorja i lejonte të kishte sado pak shpresa. “Festova me lojtarët e mirë dhe ishte e ligjshme, ishte e drejtë, – tha Stefano Pioli, – ishte një paraqitje e madhe, një provë personaliteti. Djemtë gjithnjë kanë besuar. Ishin të guximshëm dhe të jashtëzakonshëm nga ana teknike”. Milani ka 4 pikë, po aq sa Atletiko, ndërsa Porto kryeson me 5. Në ndeshjen e fundit, Milani pret Liverpulin, dhe Porto është zot shtëpie ndaj spanjollëve, ndaj edhe portugezët mund të cilësohen sërish favoritë për kualifikimin pas anglezëve. “Jemi në rrugën e duhur, – tha Pioli, – Mesias (autori i golit) është një lojtar me cilësi të mëdha, është një histori shumë e bukur, por ende në fillim”. Gjithsesi, Pioli ende nuk e ka rinovuar kontratën.

Sfidanti.al