Artistët i kanë bërë të pavdekshme ngjarje të tilla që shumë shekuj më parë. Dashuri të pamundura janë si ato të Romeos e Zhulietës, që ishin njëri Kapulet e tjetri Montag pra familje në armiqësi, ndërsa rasti i Mesit me Barcelonën ngjan më shumë me një tjetër këngë të këngëtarit të shquar boshnjak, Hari Vareshanoviç (Hari Mata Hari) me titull “Lëri lotët”. Në sallën e konferencës (ndoshta) të fundit për shtyp të Lionel Mesit në “Kamp Nou”, superylli argjentinas u përlot që po largohej nga shtëpia, ndonëse aty nuk qëlloi kush që ta pyeste “a nuk pati asnjë lloj rruge për të qendruar tek Barcelona?”. Kjo pyetje nuk u bë dhe lotët plot ndjenjë të Mesit do të thahen pas pak ditësh, të dielën ose të hënën kur të kalojë vizitën mjekësore tek Paris SG dhe të martën kur të prezantohet si lojtar i gjigandëve francezë. Jeta vazhdon! Për raste të tilla kënga e Hari Mata Harit thotë se “lëri lotët, dikush tjetër do të t’i fshijë”. Edhe tifozët e Barcelonës duhet t’i thonë kështu legjendës së tyre që i la, ato lot do t’ia fshijnë në Paris.
Sfidanti.al