Mesi, “mos prediko në shkretëtirë”, Argjentina mbetet mallkim

I mundur, i pamundur dhe i dorëzuar. Ndoshta, ende nuk i ka “ngritur duart lart”, por Lionel Mesi kuptoi edhe një herë tjetër se nuk do të jetë dot një Diego Armando Maradonë për Argjentinën. Disfata në Madrid ndaj Venezuelës, gjëja më pak e pritshme e miqësores, bëri që të kuptohej se kombëtarja “albiseleste” është ende një katastrofë, që pas eleminimit nga Franca në Kupën e Botës, dhe as klasi i Mesit nuk mund ta kthejë për mbarë.

Vështirë t’u përgjigjesh pyetjeve se kush është më shumë fajtor, Federata Argjentinase, trajneri, lojtarët apo vetë Mesi që nuk e ka natyrën e një “Robin Hudi” si dikur Maradona, që “ngrinte edhe të vdekurit nga varri”! Një përgjigje e thjeshtë është që Mesi do të mbushë shpejt 32 vjeç, dhe se nuk ka më kohë në dispozicion për plane të mëdha me ekipin përfaqësues. Në këtë moshë, zakonisht lojtarët tërhiqen nga kombëtaret, nuk bëjnë projekte fituese.

Gazeta “Marka” titulloi bukur se “Mesi predikoi në shkretëtirë”, pasi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë përballë Venezuelës, por gjithçka ishte e kotë, dhe kundërshtari fitoi 3-1 në “Uanda Metropolitana”. Për më tepër, ylli i Barcelonës u dëmtua dhe u largua nga kombëtarja, duke u kthyer në “Kamp Nou”, për të pushuar dhe për t’u vizituar. Ai nuk do të luajë në miqësoren e dytë, ndaj Marokut.

Sfidanti.al