Sauthgejt, falendero Guardiolën për transformimin e Stërlingut

Tek Liverpuli ishte një lojtar shumë i mirë, por ende jo i madh. Rahim Stërling nuk i ngjan më atij djaloshi “të palatuar” që u largua nga “Anfildi” për në “Etihad”, pasi sot është një futbollist i kompletuar. Sulmuesi i Anglisë e tregoi veten me 3 golat ndaj Republikës Çeke, në një fitore 5-0 që nuk mund të thuhet se u arrit ndaj kundërshtarit më të lehtë të mundshëm, përkundrazi.

Analistët anglezë theksuan se ndryshimi më i madh për Stërlingun është lëvizja pa top, diçka që më parë nuk e kishte, dhe të cilën Anglia e trajnerit Garet Sauthgejt nuk arriti ta shfrytëzonte siç duhet në Kupën e Botës. Golat e tij në “Uembli” ishin tepër të ngjashëm me ata që shënon për Mançester Sitin. Djaloshi i lindur në Xhamajkë është ende tepër i ri, vetëm 24 vjeç, dhe ka një të ardhme të madhe përpara, për klubin dhe kombëtaren.

Me Mançester Sitin ka realizuar 63 gola në 180 ndeshje, diçka jo e vogël në një ekip ku luan edhe Kun Aguero apo Gabriel Zhezus. Me Anglinë ai kishte vetëm dy gola në 45 ndeshjet e para, ndërsa tani ka shënuar 5 herë në 3 takime, pra ndryshimi është i madh.

Sfidanti.al