Harden shkëlqen në mbrëmjen e madhe të kampionëve: 61 pikë!

E përsëriti veten në nivelin më të lartë. Xhejms Harden barazoi rekordin e pikëve në karrierë, me 61, duke i dhënë Hjustonit fitoren 111-105 ndaj San Antonios. “Mjekra” ishte tepër i frymëzuar, por edhe shumë i saktë, duke realizuar 28 gjuajtje nga loja, nga 47 të provuara, përfshi edhe 9 kosha tripikësh. Po ashtu ai gaboi vetëm 3 nga 17 gjuajtjet e lira. Harden shtoi edhe 7 topa në tabela dhe 3 vjedhje topi për të plotësuar mbrëmjen e tij të madhe, ndërsa Hjustoni vazhdon ta mbajë me siguri vendin e tretë në Perëndim, më të mirin e mundshëm këtë sezon.

Kapiteni shkëlqeu në një mbrëmje kur edhe shumë yje të tjerë luajtën në nivele tepër të larta. Nikola Jokiç pati 21 pikë e 17 topa në tabela për Denverin që mundi Nju Jorkun, Uestbruk realizoi një tjetër tripëll dabëll për Oklahomën që theu Toronton në Kanada, Antetokunmpo ishte me 28 pikë, 8 topa në tabela e 7 asistë, ndërsa Miluoki “asgjësoi” Majemin, Mekgi pati 33 pikë, 20 topa në tabela e 6 bllokime gjuajtjesh për Bruklinin që mundi Lejkërsat në Los Anxhelos, ndërsa lituanezi Valanciunas shënoi 23 pikë e kapi 24 topa në tabela, ndonëse Memfisi u mund nga Orlando.

Sfidanti.al