Mesi, 700 ndeshje, 613 gola, 237 asistë dhe 34 trofe me Barcelonën!

Ende nuk ka përfunduar, dhe këtë e dinë të gjithë. Do të kemi fatin ta shohim edhe për shumë ndeshje të tjera në fushë Lionel Mesin, e padyshim të shënojë shumë rrjeta e të krijojë shumë gola. Magjistari argjentinas mbushi shifrën jubilare të 700 ndeshjeve për Barcelonën, në duelin e Championsit ndaj Dortmundit, dhe statistikat janë të jashtëzakonshme.

Në këto 700 sfida, kapiteni i sotëm “blaugrana” ka shënuar jo pak, por 613 rrjeta, si dhe ka dhënë 237 asistë. Kjo do të thotë një shifër totale prej 850 golat dhe asistesh në vetëm 700 ndeshje, dhe kjo tregon qartë se çfarë fenomeni i pakrahasueshëm është argjentinasi. Në këtë epokë 15-vjeçare, Mesi ka fituar 34 trofe, duke qenë një nga lojtarët më fitues (besohet pas Dani Alveshit) dhe shpreson e beson se do të fitojë sërish. Ai ka edhe tituj të mëdhenj individualë, mes të cilëve 5 Topa të Artë (2009, 2010 2011, 2012, 2015), të cilët mund të bëhen 6, si dhe çmimin e lojtarit më të mirë për FIFA-n në 2009 e 2019.

Sfidanti.al