Ende jo si në kohën e Murinjos, por fare pranë. Ja pra që edhe Interi i Simone Inzagit mund të jetë “trim” në Champions dhe të sfidojë ata që cilësohen si “perëndi”. Barazimi 3-3 në “Spotifaj Kamp Nou” ndaj Barcelonës bëri që zikaltërit të jenë vetëm 1 fitore larg kualifikimit, dhe ta kenë fatin në duart e tyre. E pamendueshme vetëm një javë më parë.
“Mbrëmje prej Championsi, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Britmë e Interit! Një 3-3 i çmendur në Barcelonë, tani të mundim Plzenin!” “Il Korriere delo Sporti” vlerëson së pari Napolin që kualifikohet duke qenë “i vetmi”, ndërsa për Interin thotë se bëri Barçën që të dridhet! Barela, Lautaro Martinez e Gosens shënuan, ndërsa kualifikimi mund të ishte arritur nëse do të kishte shënuar Kristjan Asllani.
“Shumë i kënaqur, – thotë Inzagi, – komplimentova lojtarët për ndeshjen e madhe. Tani mbetet edhe një hap, fitorja në ndeshjen e radhës përpara tifozëve tanë. U desh të tregohej guxim dhe e patëm. Këtu në Barcelonë do të na mbajnë mend gjatë. Problemi i tyre është se patën përballë Interin. Për pak do të ishim kualifikuar, por edhe kështu jam i kënaqur. Shpresojmë që Lukaku e Korrea të kthehen të dielën”.
Në Spanjë ndërkaq kanë nisur gjyqet, ndërsa as Robert Levandovski në formë të shkëlqyer nuk mjaftoi. Legjenda polake shënoi dy herë, një herë Dembele, por pa rezultat. “Vetëm një mrekulli na mban gjallë, – titullon “Sport” i Katalonjës, qëmund të përkthehet “gjallë vetëm për mrekulli” ! “Në buzë të katastrofës si çdo vit, – është titulli i pamëshirshëm i “Markës” së Madridit, – Një plagë sportive dhe ekonomike!”
“Kur barazon një ndeshje në shtëpi që duhet ta fitosh, duke pasur këtë publik në mbështetje, nuk e meriton të kualifikohesh, – pranoi tekniku katalanas, – padyshim, gabimi fillon nga unë dhe pastaj tek gjithë skuadra. Marrim përgjegjësinë, nuk ka asnjë problem për këtë. Gjithsesi, kam përshtypjen se ky Champions ka qenë mizor me ne”. Bajerni kryeson grupin me 12 pikë të plota pas fitores 4-2 në Çeki ndaj Plzenjit, Interi ka 7 dhe Barcelona vetëm 4 pikë.
Sfidanti.al