Mbrëmja e Luiza Gegës, ylli i atletikës shqiptare synon të dalë kampione e Europës!

Shpreson dhe beson se do të jetë mbrëmja e saj. Luiza Gega konkurron sot në finalen e 3 000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian të atletikës në Mynih, dhe synimi është maksimal, titulli kontinental dhe medalja e artë. Gara nis në orën e vonë 22:13 në “Olimpiashtadion”. Atletja më e mirë shqiptare ka arsye për të besuar sepse në gjysmëfinale dha kohën më të mirë të të gjitha konkurrueseve, 9’30”93. Jo vetëm kaq, por siç informon edhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, Gega nuk e lodhi shumë veten për të qenë e freskët për finalen, duke dhënë një kohë rreth 20 sekonda më shumë sesa rezultati i saj më i mirë, njëkohësisht rekordi kombëtar i Shqipërisë. Synimi është vendosja e një rekordi të ri të vendit tonë.

Gjithsesi, rivaliteti nuk do të mungojë dhe sfidantja kryesore për kampionen tonë 33-vjeçare do të jetë britanikja Elizabet Bërd, e cila mban kohën më të mirë këtë vit, 9’07”87, vendosur në Monako në garën e vlefshme për Ligën e Diamantit, ku doli në vend të dytë. Gega ka arritur këtë vit kohën më të mirë të saj 9’10”04, rreth dy sekonda më shumë sesa britanikja, kur konkurroi në finalen e Kampionatit Botëror në Oregon, dhe doli në vend të pestë. Viti 2022 ka qenë deri tani i shkëlqyer për atleten, duke thyer disa herë rekordin kombëtar e duke mbrojtur me sukses titullin e kampiones së Mesdheut në Algjeri.

Sfidanti.al