Manxhukiç i kujton Alegrit se çfarë humbi ndaj Barcelonës!

Kur e thërrasin në apel, ai gjithnjë përgjigjet “këtu”. Mario Manxhukiç nuk mundi ta ndihmonte Juventusin në Champions ndaj Barcelonës, dhe kjo sepse trajneri Alegri nuk e hodhi në fushë, por sapo iu dha rasti, e bëri në Serinë A. U desh kroati i fuqishëm që të largohej tronditja që po mblidhej në sfidën ndaj Krotones, brenda në Torino, pjesa e parë e së cilës përfundoi pa gola.

“SuperMario” goditi në 52’ për 1-0, dhe pastaj ishte më e lehtë për Matia De Shilion dhe Medi Benatianë që të shtonin edhe dy rrjeta të tjera, në minutat 60 e 71, për fitoren “e rrumbullakosur mirë”, 3-0. Me ndihmën e Manxhukiçit, Juventusi nuk lejoi shkëputjen e rivalëve për titull. Napoli kryeson me 38 pikë, Interi ka 36 dhe Juvja 34. Po 34 mund të ketë edhe Roma nëse fiton ndeshjen e prapambetur me Fiorentinën dhe këto duken skuadrat me më shumë “kredenciale” për të luftuar për titullin.

I pyetur pikërisht për titullin, Alegri dha një përgjigje “të kalibruar”: “Lufta për kampionatin varet nga pikët që do të fitohen në mars”. E drejtë, pasi në atë kohë do të jetë “nëpër këmbë” edhe Championsi.

Sfidanti.al2