Ish-mbrojtësi i shquar i Mançester Junajtidit, Geri Nevil, tha në rolin e opinionistit një vit më parë se Romelu Lukaku ishte joprofesionist, dhe se ky minus i tij do të ishte ngjitës tek Interi. Parashikoi, pra, “një dru të shtrembër që prish tufën”. Sot, ky “dru i shtrembër” po vendos rekorde dhe po ndihmon Interin si pakkush më parë. Lukaku ka 33 gola këtë sezon, nëse do të shënojë në finalen ndaj Seviljes, do të barazojë legjendën braziliane Ronaldo, që shënoi 34 gola në sezonin debutues për Interin, 1997-1998.
Ai ka arritur të shënojë në 10 ndeshje radhazi në Ligën e Europës. Ky është një rekord i këtij konkurrimi, ndërsa nëse shënon ndaj Seviljes, do të barazohej me Kristiano Ronaldon që ka realizuar 11 ndeshje radhazi në Champions. Të dy, sidoqoftë, do të ishin shumë prapa rekordeve si ai i Gerd Mylerit me 16 ndeshje radhazi me gola në Bundesligë, apo ai absolut i Lionel Mesit me 21 ndeshje radhazi me gola në La Liga.
Sfidanti.al