Ishte ai që pritej, kapiteni i Kroacisë, Luka Modriç. Mesfushori 33-vjeçar la pas Mohamed Salahun dhe Kristiano Ronaldon për t’u bërë për herë të parë fitues i Çmimi Lojtari më i mirë i botë. Emri i tij u shpall solemnisht në Sallën Mbretërore të Festivaleve në Londër, në prani të personaliteteve të futbollit nga i gjithë rruzulli. Merr fund, të paktën për momentin, dominimi i Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos, që e kishin fituar nga 5 herë, që nga viti 2008.
Lojtarja më e mirë, Marta
Marta e Brazilit fitoi Çmimin e Lojtares së vitit. FIFA e vlerësoi yllin e skuadrës amerikane Orlando Prajd (Pride) më lart se norvegjezen Ada Hegerberg dhe gjermanen Xhenifer Maroshan, që të dyja lojtare të Lionit, kampion i Europës.
Deshamp, trajneri më i mirë
Gara për trajnerin e vitit ishte shumë e fortë dhe, pak a shumë siç pritej, i pari doli ai që fitoi Kupën e Botës, Didie Deshamp i Francës. Ai la pas trajnerin e Kroacisë, Zllatko Daliç, që arriti në finalen e Botërorit, dhe Zinedin Zidanit, Reali i të cilit fitoi për herë të tretë radhazi Championsin.
Rejnald Pedros, trajneri numër 1 i femrave
Çmimin e trajnerit më të mirë tek femrat e fitoi Rejnald Pedros, tekniku i Olimpikut të Marsejës, që fitoi Championsin. Ai ia doli ndaj trajneres së Japonisë, Asako Takakura dhe trajneres së Holandës, Sarina Vegman.
Salah, goli më i bukur
Mohamed Salah fitoi vlerësimin e golit më të bukur të vitit, Çmimin “Pushkash”, duke lënë pas autorë të shkëlqyer si Mesi, Ronaldo, Bejl apo Pavar. Fituese ishte rrjeta e egjiptianit ndaj Evertonit në Premier Ligën angleze.
Kurtua, portieri më i mirë
Vlerësimi maksimal u dha për “gardianin” e Belgjikës dhe të Realit (ish-Çelsi), Tibo Kurtua. Ai fitoi ndaj francezit Hugo Joris dhe danezit Kasper Shmajker, të tre portierë të Premier Ligës, edhe pse Kurtua tani është tek Reali.
Formacioni më i mirë
De Gea (Spanjë, Man. Junajtid), Dani Alvesh (Brazil, Paris SG), Sergio Ramos (Spanjë, Real Madrid), Varan (Francë, Real Madrid), Marselo (Brazil, Real Madrid), Modriç (Kroaci, Real Madrid), Kante (Francë, Çelsi), Hazar (Belgjikë, Çelsi), Mesi (Argjentinë, Barcelona), Mbape (Francë, Paris SG), Ronaldo (Portugali, Juventus).
Tifozët më të mirë, Peruja
Ajo që ndodhi në Kupën e Botës ishte e veçantë dhe bëri që tifozët peruvianë të zgjidheshin si numri 1 në botë nga FIFA. Kjo, pasi 40 000 tifozë shkuan në Rusi për të mbështetur kombëtaren, që u kualifikua për në Botëror pas 36 vjetësh.
Sfidanti.al