Luftë mes Red Bullit e Mercedesit, ndonëse incidenti i Anglisë u mbyll!

Trupi disiplinor i Federatës Botërore të Automobilizmit (FIA) vendosi ta mbyllte hetimin lidhur me aksidentin mes Maks Verstapenit e Ljuis Hamiltonit në Silverston, por kjo nuk do të thotë se situata është qetësuar. Red Bulli apeloi në prag të Çmimit të Madh të Hungarisë në Formula 1, dhe ndonëse inspektorët konfirmuan ndëshkimin prej 10 sekondash që iu dha Hamiltonit në Angli, Mercedesi mbeti i tërbuar nga niveli i akuzave të austriakëve. Avokatët e Red Bullit kërkuan përjashtimin e Hamiltonit nga gara angleze me arsyetimin se ai e kishte shkaktuar aksidentin me dashje, dhe Mercedesi u përgjigj me deklaratë publike duke e dënuar një qendrim të tillë. Tani pritet sesi do të shkojë gara hungareze, pasi Verstapeni është padyshim tepër i acaruar me Hamiltonin dhe në Budapest mund të pritet gjithçka.

Sfidanti.al