Nuk është aq shtatlartë sa basketbollistja legjendare e Daugavës së Rigës dhe Bashkimit Sovjetik, por gjithsesi është më shumë se një kokë mbi të tjerat. Stefani Dolson është gjigandja amerikane që udhëhoqi ekipin e SHBA-së në basketboll 3×3 për femra drejt medaljes së artë duke triumfuar në finalen ndaj Rusisë 18-15. Një lojtare 1.96 metra shtatlartë (në foto me numrin 13) dhe që shënoi më shumë pikë se shoqet na kujtoi pikërisht Uljana Semjonovnën, basketbollisten legjendare të Bashkimit Sovjetik, të lindur në Letoni, por me origjinë ruse. Ajo ishte 2.14 metra shtatlartë, fitoi 2 medalje olimpike, 3 kampionate botërore dhe 10 kampionate europiane me BRSS, dhe në vitet 1958-1976, sovjetiket nuk humbën asnjë ndeshje. Sa për Dolsonin, ajo është 29 vjeç dhe ka luajtur në NBA-në e femrave në SHBA në vitet 2014-2017 me Uashingtonin, dhe nga 2017 e më pas me Çikagon. Ajo ka luajtur jashtë Amerikës për Spartakun e Moskës, Mersin Byjykshehir të Turqisë, Napolin në Itali dhe Henan Feniksin në Kinë.
Sfidanti.al