Do të ketë një revansh mes Lenoks Ljuisit dhe Vitali Kliçkos. Boksieri i madh ukrainas e ka kërkuar diçka të tillë për 15 vjet, që nga ndeshja e madhe “e shekullit” mes tyre në 2003, fituar me nokaut teknik nga Ljuis, por jo pa protestat e mëdha të ukrainasit.
Revanshi, sidoqoftë, do të jetë ndryshe nga ai tradicional, një duel mendjesh dhe jo grushtash, pasi Ljuis dhe Kliçko, do të ngjiten në një ring në Kiev, për të … luajtur shah. Kjo është ideja e fundit që i bëri bashkë dy ish-kampionët e peshave të rënda të boksit profesionist.
“Jemi shumë të vjetër për të veshur sërish dorezat”, – tha britaniku, që refuzoi kërkesat e asaj kohe nga Kliçko për të riluajtur ndeshjen për titull, diçka që padyshim la një njollë në karrierën e tij pa asnjë njollë tjetër. Sot, Ljuisi është 52 vjeç, ndërsa Vitali 47, mosha kur Xhorxh Foremani fitoi ndeshjen e fundit për titull në karrierën e tij.
Lenoks Ljuis mbetet kampioni i fundit i padiskutueshëm i botës i peshave të rënda në boks, pra duke qenë kampion i secilës prej federatave në rruzull. Vitali Kliçko pati një karrierë të jashtëzakonshme duke dominuar peshat e rënda bashkë me vëllanë, Vladimirin, ndërsa më pas u bë kryetar bashkie i Kievit.
Sfidanti.al