Leksioni i Sarrit, Pep humb kreun dhe Çelsi kthehet në garë për titullin!

Edhe dihej se mund të ndodhte, edhe u quajt një tronditje. Ka gjithnjë lajm të madh kur mundet Mançester Siti dhe kështu i ndodhi në ndeshjen e vështirësisë më të lartë të mundshme në fushën e Çelsit.

Në stadiumin “Stemford Brixh”, kampionët në fuqi u mposhtën 0-2, dhe humbën vendin e parë në renditje në favor të Liverpulit, ndërsa blutë e Londrës u kthyen edhe një herë në garën për titull, konkurrim që mund të ketë jo pak, por pesë pretendentë.

Ngolo Kante në pjesën e parë dhe David Luiz në minutat e fundit ishin autorët e golave, ndërsa trajneri vendas, Mauricio Sarri, u dha një përgjigje të madhe atyre që dyshonin tek ai. Kritikët u nxituan të thoshin se Sarri mund të kthehej në një tjetër dështim si Luis Felipe Skolari disa vjet më parë, dhe jo të kishte suksesin e Guardiolës tek Siti.

Skuadra mike, gjithsesi, pati epërsi, zotëroi topin 61 për qind, gjuajti 14 herë drejt portës, dhe ekzekutoi 13 goditje nga këndi, por në fund, ajo që vlejti ishte numri 0 i golave të shënuar. Çelsi vërtet ishte inferior në lojë, por gjithsesi, u tregua konkret dhe cinik, pasi gjuajtjet në kuadrat ishin 5-4 në favor të tij.

Kampionët vuajtën mungesat e sulmuesit kryesor Sergio Aguero, dhe të mesfushorit po ashtu kryesor, Kevin De Brujn, por asgjë nuk ia heq meritën suksesit të londinezëve. Siti është në vend të dytë tani në Premier, me 41 pikë ndaj 42 të Liverpulit, ndërsa Çelsi ka 34 pikë.

Sfidanti.al