Pati fat, pati meritë të madhe, por nuk u kuptua se çfarë halli kishte. Mohamed Salah, habiti dhe tronditi tifozët e Liverpulit, me reagimin e tij më shumë se të përmbajtur për golat që shënoi, aq sa u duk tepër i mërzitur. Përse? Për momentin, askush nuk di të thotë gjë, shpresohet të mësohet diçka në orët apo ditët në vijim.
Gjithsesi, Salah mund të thuhet se është rikthyer plotësisht për Liverpulin, siç e konfirmoi me tregolëshin në portën e Bornmuthit. Në një duel të Premier Ligës që mendohej i vështirë, në fushën e ekipit të vendit të 7-të, formacioni i trajnerit Jurgen Klop thuajse nuk diskutoi asgjë dhe triumfoi 4-0.
Fati i sulmuesit egjiptian ishte në rrjetën e parë, kur ai ishte qartësisht në pozicion jashtë loje, diçka që gjyqtarët nuk e dalluan, ndërsa në Angli ende nuk po përdoret VAR-i. Megjithatë, vendasit nuk mund të ankoheshin për golat e tjerë.
Salah shënoi për 2-0 në minutën e 48-të, pra me të nisur pjesa e dytë, dhe pastaj erdhi autogoli i Kukut. Numri 10 liverpulas e vulori paraqitjen e tij magjike 13 minuta para fundit, me realizimin e tretë personal dhe të katërtin për ekipin.
Tashmë ai ka 10 rrjeta, duke qenë në një nivel me shënuesin më të mirë të Premier Ligës, Pjer-Emerik Obamejang të Arsenalit apo me yllin e Totenhemit, Harri Kejn. Të kuqtë ia dolën megjithë mungesat e rëndësishme të mbrojtje, të Xho Gomezit, Dejan Lovrenit apo Nataniel Klajnit, që të gjithë të dëmtuar.
Liverpuli ka 42 pikë, me 13 fitore, 3 barazime e asnjë humbje, dhe me golaverazhin shumë të mirë, 34 gola të shënuar e 6 të pësuar, dhëe tashmë la prapa Mançester Sitit, duke qenë në krye të renditjes së kampionatit.
Sfidanti.al