Lebron kundër rivalëve, ndoshta një mision i pamundur?!

Shënoi 46 pikë, duke dhënë maksimumin e maksimumit të tij, por Klivlendi mezi shpëtoi nga humbja edhe pse luajti në shtëpi. Lebron Xhejms e kuptoi qartë pas ndeshjes së dytë ndaj Indianës sesa e vështirë do të jetë të fitohet titulli kampion në NBA me këtë skuadër. Gjithçka mund të ndodhë, por shenjat nuk janë aspak të mira kur ndeshjen e parë në Arenën tënde e ke humbur me -18 pikë, dhe të dytën e ke fituar 100-97, edhe pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme të yllit më të madh të botës. Tani do të vijnë dy ndeshje në fushën e Indianës, ndërsa Klivlendi mund të mos ketë një nga lotarët kryesorë, Kevin Lovin e dëmtuar.

Misioni i Lebronit bëhet edhe më i vështirë, në mos i pamundur, nëse shikon ritmin me të cilin po ecin rivalët. Golden Stejti është në epërsi 3-0 ndaj San Antonios me përvojë, edhe pse i mungon lojtari i quajtur kryesor, Stefën Kërri. Kampionët në fuqi kanë yllin tjetër, gjithashtu kryesor, Kevin Durantin, dhe po ashtu kapitenin Tompson e “polivalentin” Drejmond Grin. Në fushën e San Antonios ndeshja u fitua 110-97, Durant shënoi 26 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, ndërsa Tompson shtoi 19 pikë. Drejmond Grin pati 10 pikë, 6 topa në tabela, 7 asistë, 2 vjedhje topi e 4 bllokime gjuajtjesh.

Rivali tjetër i madh, Hjuston Rokits, është në epërsi 2-0 në sfidën e vet të turit të parë të plej ofit, udhëhequr nga dyshja Xhejms Harden-Kris Pol. i vetmi lajm i mirë për Klivlendin është që në finalen e mundshme të NBA-së do të ndeshet vetëm me njërin nga këta rivalë.

Sfidanti.al