Nuk ka qenë për asnjë moment, seriozisht, kandidat për stolin e Bajernit. Jurgen Klop flet sinqerisht ndërsa pyetet nëse ishte mundësia që ai të bëhej njeriu i stolit në klubin e rekordeve në Gjermani. “Nëse Bajerni do të kishte qenë i interesuar, – tha ai, – pa marrë parasysh se çfarë vendimi do të kisha marrë unë, do të kishte qenë diçka e komplikuar, pasi unë kam kontratë këtu edhe për 4 vjet. Mesa kuptoj unë, nuk do të ishte e saktë të thuhej se Liverpuli është i pakënaqur me mua”.
Klop shtoi se përderisa kjo gjë nuk kishte kuptim, as Bajerni nuk bëri ndonjë përpjekje për ta kërkuar. Bavarezët emëruan Niko Kovaçin si trajner, njeriun që po udhëheq shumë mirë Ajntrahtin e Frankfurtit, ndërsa më parë Jup Hajnkes refuzoi të vazhdonte përtej këtij sezoni, ndërsa Tomas Tuhel zgjodhi të shkonte tek Paris SG.
Jurgen Klop, ndërkaq, është i lumtur në “Anfild”, ku shpreson të fitojë Championsin, ndërsa sezonet e ardhshme të synojë edhe Premier Ligën. Ai tregon edhe sesi e sheh të ardhmen si trajner. “Kam kontratë me Liverpulin deri në 2022, – theksoi ai, – puna si trajner më duket shumë e lodhshme dhe mendoj se mund ta braktis më shpejt sesa bëjnë zakonisht trajnerët e tjerë, pasi nuk kam ndërmend të vdes në stol. E sigurt është vetëm një gjë, kur të largohem nga Liverpuli, do të bëj 1 vit pushim, kjo është marrëveshja që kam bërë me familjen time”.
Sfidanti.al