Kur e thotë edhe Pogbaja: “U treguam krejt të parespektueshëm”!

Dikur Sër Aleks Fergusoni u pyet se, nëse do të kishte vetëm një plumb, kë do të qëllonte së pari, Arsen Vengerin apo Viktoria Bekamin, dhe përgjigja e skocezit të madh ishte: “A mund të më jepni dy plumba?” Sot, besohet se as Zhoze Murinjo, as Ole Gunar Solskjer dhe as tifozët (pa folur për opinionistët Nevil e Karrager), nuk do të dyshonin se për kë do ta kishin plumbin e fundit.

“Armiku i popullit” quhet Pol Pogba, dhe është aq shumë i tillë saqë edhe vetë ai e kupton. Tashmë, pa u maskuar me xhakoventa me kapuç apo me kufje celulari në vesh, kampioni i botës detyrohet të pranojë, pa kushte, se ajo që bëri ai dhe shokët e tij në fushën e Evertonit ishte një “proçkë” e madhe. Murinjo nuk është më në stol, dhe justifikime nuk mund të ketë kur “e bën baltë”.

“Nuk dua që të tregohem i parespektueshëm, – e nisi fjalën e tij Pogba për “Skaj Sportin”, – dhe unë nuk jam i parespektueshëm ndaj Evertonit, por mënyra sesi luajtëm në ndeshjen e fundit ishte krejt pa respekt. Edhe nga unë, edhe nga të tjerët”. “Gjithçka shkoi keq, – vazhdoi mesfushori, – por, gjëja kryesore është mentaliteti dhe ne duhet që këtë ta ndryshojmë”.

Pogba pohoi se trajneri dhe stafi i tij teknik patën kritika të forta për skuadrën. “Pas ndeshjes, trajneri dhe ndihmësit e tij folën me ne, dhe thanë të vërtetën, – tregoi ai, – ata i vunë pikat mbi “i” dhe thanë se ne nuk e kishim nderuar veten. Treguam mungesë respekti për trajnerët, për tifozët, për punonjësit e klubit, për këdo”.

Le të shpresohet që kjo pendesë të jetë e sinqertë dhe Mançester Junajtidi të reagojë në dy ndeshjet “masive” që kanë këto ditë, që të dyja në “Old Traford”, ndaj Mançester Sitit në mesjavë, dhe kundër Çelsit në fundjavë.

Sfidanti.al