“Kryengritje në pallat”, yjet e Man. Junajtidit kundër trajnerit Solskjer

“Teatri i Ëndrrave” është kthyer në një vend kur njerëzit nuk vënë dot gjumë në sy. Tashmë, është kohë “zhgjëndrash” për Mançester Junajtidin dhe “pika e vlimit” po arrin. Disfata e fundit në derbin ndaj Sitit pikërisht në shtëpi i paska acaruar shumë raportet brenda ekipit dhe stafit teknik. Mediat angleze njoftojnë se disa nga lojtarët kanë dalë kundër trajnerit Ole Gunar Solskjer duke mos e quajtur në nivelin e duhur. “Nuk po marrim drejtimin e duhur”, mësohet të ketë thënë mesfushori Bruno Fernandes.

Kristiano Ronaldo, thuhet se, është shumë i shqetësuar për rënien e standardit të lojës së ekipit, ndërsa lojtarët kanë simpati për mesfushorin holandez, Doni Van de Bek që është si i “burgosur” nga Solskjeri duke mos luajtur thuajse kurrë, ndonëse ishte një yll tek Ajaksi 2 vjet më parë. Nëse të gjitha këto raportime janë të sakta, atëherë Solskjeri rrezikon shumë që të shkarkohet. “Djajtë e kuq” kanë 6 humbje në 12 ndeshjet e fundit, përfshi ato në “Old Traford” ndaj Liverpulit dhe Mançester Sitit.

Sfidanti.al