Kritika për Asllanin, por shqiptari është i kënaqur dhe trajneri Inzagi e lavdëron!

E provoi këtë vjeshtë Championsin, dhe nuk e pati të lehtë. Kristjan Asllani ndjeu emocione të forta, që thuajse e paralizuan dhe nuk e lejuan të tregonte veten, diçka që i ndodhi në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës, por edhe në “Alianc Arenë” kundër Bajernit. Mesfushori i kombëtares shqiptare kaloi një provë të vështirë në humbjen e Interit 0-2 ndaj bavarezëve, dhe kritikat e mediat italiane nuk munguan. Pas shumë minutave nën presion, 20-vjeçari kuqezi arriti të tregonte diçka vetëm në fund, kur shërbeu bukur për Xhekon që mund të kishte shënuar.

“Një paraqitje e madhe, – tha Asllani për mikrofonin e klubit, – donim ta mbyllnim me një fitore, por e dinim se kundërshtari ishte i fortë. Të paktën, luajtëm mirë edhe pse nuk shënuam dot gol. Gjithsesi, është mirë edhe kështu. U kualifikuam, jemi të kënaqur”.

“Skaj Sporti” i dha shqiptarit notën 5.5, që është një vlerësim mesatar, ndërsa asnjë nga lojtarët e Interit nuk mori më shumë se 6. “Eurosporti” e qorton mesfushorin kuqezi: Shumë i druajtur, edhe pse ndeshje pa rëndësi. Duhet personalitet. Me vonesë te goli i Çupo-Motingut! “Kalçomerkato” ka kritikë të ashpër: Përdorim i keq i topit pranë zonës që thuajse na ndëshkoi. Larg personalitetit të Brozoviçit dhe Çalhanoglusë, por e mori veten nga fundi!

Gjithsesi, trajneri Simone Inzagi pati vlerësim kur u pyet nga gazetarët. “Po, – tha ai, – në fushë ishin lojtarë që u paraqitën mjaft mirë. Darmian apo dhe Galiardini, që ka pasur probleme me dëmtimet. Luajtën që të gjithë mirë, përfshi edhe Belanovën dhe Asllanin, ndaj jam shumë i kënaqur”. Pavarësisht humbjes, Interi nuk pati probleme sepse ishte i kualifikuar që më parë, ndonëse vendi i dytë do t’i japë short të vështirë në raundin e dytë.

Sfidanti.al