Anis Mehmeti shkëlqen me 7 golat në 17 ndeshje në Ligën e Parë në Angli!

Nuk dihet nëse do ta konsiderojnë të denjë. Anis Mehmeti padyshim që ka dëshirë të luajë për kombëtaren shqiptare, dhe ka shënuar jo pak, por ndoshta e pengon fakti që është në kategorinë e tretë. Shqiptari realizoi shumë bukur ditën e djeshme për Uajkombin në Ligën e Parë të Anglisë, në një barazim 2-2 ndaj Port Vejlit. Mesfushori i Shpresave, që është ende 21 vjeç, është lojtari më i mirë i ekipit dhe shpreson të jetë të paktën në kategorinë e dytë angleze, dhe pse jo, të synojë Premier Ligën. Ai ka shënuar 7 gola në 17 ndeshje në kampionat, një rendiment mjaft i mirë, ndërsa futbolli anglez është shumë i fortë në çdo nivel profesionist.

Mehmeti mbetet nën vëmendjen e trajnerit të Shpresave, Alban Bushi, i cili e konsideron si kandidat potencial për të vazhduar si kuqezi, ashtu siç vlerësohet i riu Adrion Pajaziti që luan për Fulhamin. Mesfushori 21-vjeçar ka rinovuar kontratën me Uajkombin dhe ndonëse është ende mjaft i ri, ka karrierë të rëndësishme me ekipin. Dy vjet më parë, ndërsa skuadra ishte në Championship, shqiptari i lindur në Londër shënoi 3 gola, duke qenë titullar në 18 ndeshje. Besimi është që bashkë me rritjen e pjekurisë si profesionist, Anis Mehmeti të ngjitet sa më lart në piramidën e futbollit anglez.

Sfidanti.al