Duket sikur do të kthehet në një prehistori të mrekullueshme. Përfaqësueses së Kosovës i vjen fati të ketë përballë një legjendë të futbollit, i cili mendohej se nuk do të shihej më në fushë me fanelën suedeze. Zllatan Ibrahimoviç do të kthehet në kombëtaren e vendit të tij të lindjes, plot 5 vjet pas largimit. Ngjarja e madhe, që përflitej prej vitit të kaluar, jepet e sigurt që do të ndodhë dhe ylli i Milanit do të dalë në fushë për ndeshjet ndaj Gjeorgjisë e pikërisht Kosovës në fund të këtij muaji, për eleminatoret e Kupës së Botës.
Kështu, shqiptarët e Kosovës, apo edhe ndonjë lojtar i ndonjë nacionaliteti tjetër që mund t’u bashkohet, do të provojnë një kënaqësi shtesë pas atyre të mëparshmëve, sidomos pas sfidës së madhe ndaj Anglisë në stadiumin e “Shën Mërisë” në Sauthempton. Kosova pret kombëtaren suedeze në 28 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Ibrahimoviç u largua nga Suedia në përfundim të Europianit të vitit 2016, ndërsa më vonë deklaroi se nuk do të kthehej më aty.
Ai mbahet mend si artisti më i shquar suedez i topit, edhe pse ajo kombëtare ka pasur legjenda si Nordal, Gren, Hamrin, Skoglung apo edhe Stromberg. Golat e shënuar me fanelën nordike mbeten pasuri e lojës më popullore të botës për stilin e tyre të papërsëritshëm, siç ndodhi ndaj Anglisë apo Italisë në Euro 2004. Ai ka shënuar 62 gola në 116 paraqitje për skandinavët që nga viti 2001. Kthimi i Ibrës në kombëtare vjen pas ringjalljes së karrierës së tij në moshën 39-vjeçare, në rikthimin tek Milani janarin e vitit të kaluar. Zllatani po udhëheq kuqezinjtë drejt majave të Serisë A, duke e kthyer një ekip që mezi i afrohej zonës europiane, në kandidat për titull.
Sfidanti.al