Hysaj fut në sherr trajnerin me presidentin, për fat Gatuzo ende e mbështet!

Është e vështirë jeta kur je në fund të kontratës. Po e provon këtë Elseid Hysaj, mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe i Napolit, ndërsa në klub ka një konflikt për shkak të tij. Mediat italiane njoftojnë se presidenti Aurelio De Laurentis i ka kërkuar me ngulm trajnerit Xhenaro Gatuzo që të mos e aktivizojë shqiptarin, po ashtu as mbrojtësin tjetër, serbin Nikola Maksimoviç, sepse që të dy do të jenë lojtarë të rinj në verë. Konflikti është krijuar sepse Gatuzo, ndryshe ngë kërkesa e presidentit, është mbështetur disa herë tek Hysaj, por edhe tek Maksimoviçi, duke vlerësuar aspektin sportiv, pra vlerat e tyre teknike, ndërsa skuadra ka pasur dëmtime dhe ka qenë nevoja për rotacion.

Kjo ka qenë edhe njëra nga arsyet e krisjes mes trajnerit dhe De Laurentisit aq sa është e sigurt që legjenda e Milanit do të largohet nga stoli, në të njëjtën kohë që shkodrani do të ikë nga ekipi. Arsyeja tjetër janë rezultatet me luhatje të ekipit, siç ishte edhe barazimi 3-3 në fushën e Sasuolos, kur fitorja iku nga duart në sekondat e fundit, duke sjellë edhe nervozizëm mes lojtarëve.

Hysaj e vesh fanelën napolitane për 6 sezone radhazi, duke qenë një nga lojtarët kryesorë sidomos gjatë kohës që trajner ishte Mauricio Sarri. Më pas, ai pati probleme me Karlo Ançelotin, por ardhja e Gatuzos e bëri sërish lojtar të vlefshëm, dhe 27-vjeçari është aktivizuar shpesh. Ka pasur shumë spekullime për të ardhmen e zv. kapitenit të kombëtares, duke u përmendur sidomos Roma në Serinë A, Benfika në Portugali, por edhe Paris SG në Francë.

Sfidanti.al