“El Pais” lëshon alarmin: Spanja nuk prodhon dot Mbape e Haland!

Ishte një kohë kur në fushë dilnin disa lojtarë me shtat të vogël, por me vlerë kolosale. Ishin vitet kur ekipet zinxhir të klubeve spanjolle krijonin talente të tillë si Ksavi, Iniesta, David Silva apo Santi Kazorla, për të mos folur për Pikenë, Ramosin, Busketsin, Vilën, Torresin. La Liga ishte kampionati më i ndjekur i botës, ndoshta edhe më shumë sesa e plotfuqishmja Premier Ligë, dhe kur Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo vërtet ishin mbretër në Iberi, por në krah kishin “princa”.

Po sot? E përditshmja gjeneraliste “El Pais” lëshon alarmin se shkolla spanjolle ka rënë në “batak”. “Do të jetë diçka e rrallë që Spanja të prodhojë një Mbape apo Haland, – shkruan ajo, – është shumë e mundshme që kampionati ynë dhe klubet tona të kenë rënë për arsye ekonomike. Një problem kërcënon Ligën. Luhet keq, gjithnjë e më keq, ambient sundohet nga takticizmi mbytës, diçka që bëhet për të mbuluar dobësinë. Ndeshjet kanë humbur vazhdimësinë, ka shumë ndërhyrje të gabuara, edhe për shkak të tolerancës së arbitrave. Nëse vazhdojmë kështu, do të paguajmë një çmim të rëndë”.

Sfidanti.al