Kombëtarja në Angli nën shenjën e kompleksit të inferioritetit!

Kanë kaluar shumë kohë që atëherë. Kombëtarja shqiptare nuk e ka sot kompleksin e dikurshëm të inferioritetit kur udhëton jashtë vendit, me lojtarët që jetojnë e luajnë vetë jashtë, por gjithsesi Londra dhe Anglia mbeten gjithnjë imponuese. Ekipi përfaqësues zbarkon për herë tretë në aeroportin “Hithrou”, dhe shumëçka të kujton ende vitin 1988. Thuajse e njëjta ndjenjë që patën atëherë Musta, Demollari, Zmijani, Nallbani apo Lekbello në kryeqytetin hijerëndë të ish-perandorisë më të madhe të historisë, dhe të vendit që shpiku futbollin. Emocionet ishin dhe mbeten të mëdha përballë ekipit më të vjetër të botës, që ka me vete historinë dhe pse jo titujt e një Brazili, Gjermanie apo Italie. Një kompleks të tillë e patën edhe vetë gjermanët që fituan për herë të parë ndaj Anglisë në 1968, dhe italianët që ia dolën vetëm në 1973.

Që kur “tre luanët” erdhën në Tiranën me pluhur dhe të lënë pas dore të 1988-ës, dhe kur kuqezinjtë shkelën për herë të parë “Uemblin” e lavdishëm, kanë kaluar 33 vjet, por Anglia mbetet një nga “macet tona të zeza”. Pesë ndeshje, pesë humbje, vetëm një gol i shënuar dhe plot 14 të pësuar, ndërsa përballë kemi pasur yje si Barns, Robson, Gaskoin, Lineker, Majkëll Ouen, Xherrard e së fundmi, Harri Kejn. Pavarësisht se trajneri Edi Reja deklaroi se synimi i kombëtares në “Uembli” është fitorja, sërish përballë një rivali të tillë, me një traditë të tillë, por edhe me mungesat e shumta, nuk dihet nëse ai vetë e beson këtë gjë.

Sfidanti.al