Klubet e Premier Ligës “lahen në flori”, ndërsa për popullin nis fushata e kursimeve!

Politika ndonjëherë reagon, kur e sheh se ka ndryshim të humorit të elektoratit. Premier Liga angleze vërtet është një biznes privat, i krijuar nga 20 klubet e elitës së futbollit në ishull, por ajo jeton në një realitet të caktuar, në një shtet e popull të caktuar, dhe me tifozë gjithashtu të caktuar sidomos brenda kufijve të vendit. Fakti që këtë verë u thye ndjeshëm rekordi i shpenzimeve për blerjet, ndërsa u paguan 2 miliardë paundë stërlina për kartonët e lojtarëve të rinj, po ndikon për keq në opinion. Kjo “shkapërderdhje” e parave (edhe pse sipas planeve të caktuara financiare) bën shumë kontrast me jetën e njerëzve, sidomos të shtresave më të varfra, por edhe atyre të ashtuquajtura të mesme. Në Britaninë e Madhe ka nisur debati për kufizimet e shpenzimeve të energjisë elektrike, të gazit, pra të gjithçkaje që ka të bëjë me energjinë pas shtrenjtimit të jashtëzakonshëm.

Klubet e Premier Ligës nuk e kanë problem ta hedhin paranë në lumë, ndërsa priten kufizime dhe për probleme të qytetarëve për të paguar faturat. Këtyre shqetësimeve u bën jehonë deputeti 64-vjeçar laburist, Kliv Eford. “Kjo është çmeritëse, – shkruajti ai në Tuiter, – më shumë se Spanja, Italia dhe Gjermania në bashku. Ekonomia britanike po “bombardohet”, ndërsa Premier Liga po lulëzon. E gjitha kjo ndërsa qytetarët do të kenë probleme për faturat. Këta klube po tradhëtojnë tifozët e tyre. Në vend që të bëjnë shpenzime të tilla duhet të krijojnë një fond solidariteti për t’i ndihmuar”. Deputeti laburist, në të vërtetë, duhet të bëjë thirrje për taksa më të larta për klubet e futbollit, dhe jo thjesht të kërkojë bamirësi prej tyre.

Sfidanti.al