Dikur nuk kishin shumë nevojë t’u ngjanin të tjerëve, sepse tifozët në stadiumet në ishull nuk kishin shok në botë. Gjithsesi, kohët kanë kaluar, dhe ja ku jemi në momentin kur Premier Liga dhe klubet e tjerë angleze do të kthejnë tribunat pas portave të stilit të vjetër, ku publiku të qendrojë në këmbë për të mbështetur ekipin. Një gjë e tillë ndodh pa problem në “Signal Iduna Park”, ish-“Vestfalenshtadion” të Dortmundit, ku tifozët e Borusias formojnë atë që quhet “Muri i Verdhë”. Me gjastë, ajo tribunë është bërë më e famshmja në botë, pavarësisht lavdisë së tribunës “Kop” në “Anfild”. Pas ndalimeve që u bënë pas tragjedisë së Hillsborout, tani po jepet leja edhe në Angli, veçse me ato që quhen “tribuna të sigurta”.
Sfidanti.al