Gazeta “El Mundo” e ka qendrën në Madrid dhe është një nga më të mëdhatë e Spanjës. Ishte pikërisht kjo e përditshme që dha një lajm, të cilin nuk e kishin zbuluar as “Marka” apo “AS”, po të Madridit, pra që Lionel Mesi, praktikisht do të largohet nga Barcelona në rast pavarësie të Katalonjës. “El Mundo” shkruan për një klauzolë në kontratën e superyllit argjentinas, që përcakton se Mesi do të qendrojë në skuadër vetëm nëse Barcelona merr pjesë në një nga katër ligat e mëdha të Europës, La Ligën, Premier Ligën, Bundesligën apo Ligën e Parë të Francës (kurioze që nuk është përfshirë Seria A).
Nëse Barça mbetet në kampionatin e Katalonjës së pavarur, atëherë Mesi, sipas “El Mundos” do të largohet pa e paguar klauzolën e shitjes prej 700 milionë eurosh. Lajm i vërtetë apo luftë mediatike? “El Mundo” është gazetë serioze, ndonëse gjithçka mund të imagjinohet, ndërsa për largimin e Mesit, realisht duhet thënë se vështirë të ndodhë. Së pari, largimi i Katalonjës nga Spanja duket një proces i gjatë dhe i paqartë, së dyti, nuk është automatikisht e përcaktuar që pas Pavarësisë, Barcelona do të largohet nga La Liga, dhe së treti, në një rast të tillë unikal, edhe UEFA do të gjente një kompromis që një ekip si Barcelona të luante në një ligë të madhe europiane.
Sfidanti.al